Shefki Hysa, Origjina

Shefki Hoxha

Mehmet Alushi

Mazar Hysa

Bahrie Hysa

Shefki Hysa i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore.
Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun – Çamërinë, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Gjyshi i Shefkiut, atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi, besonin në një Zot, si gjithë muslimanët e devotshëm, prandaj mbanin edhe mbiemrin “Hoxha”), njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.
Shefki Hoxha, si atdhetar i madh, shumicën e pasurisë e përdorte për të mirën e Kombit Shqiptar. Ai financoi klubet e para patriotike dhe shkollat e para në gjuhën shqipe në zonën e Konispolit dhe në Çamëri. Patriotizmi i tij i shtyu turqit në vitin 1910 që të vendosnin për ta arrestuar, mirëpo e njoftuan miqtë dhe u arratis në Amerikë. U kthye në vitin 1914 dhe vazhdoi të financonte si më parë shkollat. Andartët grekë, duke e parë si element të rrezikshëm, i dogjën shtëpinë tre katëshe në fshatin Shalës, siç dogjën shumë fshatra në  Shqipërinë e Jugut, siç dogjën dhe Hormovën e Tepelenës. U shpëtoi dhe grekëve.
Shefki Hoxha, më 1920, me shumë patriotë të tjerë, si i famshmi Alush Taka nga Konispoli, financoi luftën e Vlorës kundër italianëve.
Më 1924, megjithëse i pasur, u bashkua me Qeverinë e Nolit dhe ishte personalitet që nxiste reformat për t’u hequr një pjesë toke të pasurve dhe për t’ua dhënë fshatarëve. Pas dorëheqjes së Nolit, Qeveria e Ahmet Zogut e përndoqi si kundështar politik dhe e arrestoi bashkë me disa patriotë të tjerë nga zona e Konispolit; i burgosi në burgun famëkeq të Lezhës. Madje për këtë arsye, poeti popullor i zonës, këndonte:
“Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë”…
Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe vdiq në vitin 1936, si pasojë e lëngatave të burgimit.
Gjyshi tjetër i Shefkiut, Mehmet Alushi, babai i Bahrie Hysa, mamaja e Shefkiut, lindur dhe banor i Konispolit, ishte një nga imamët më atdhetarë; imam për shumë vite në Xhaminë e Konispolit.
Hafiz Mehmet Alushi, një nga legjendat e fesë muslimane, si atdhetar i madh, ishte një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të të gjitha regjimeve, sidomos i regjimit komunist. Gjatë periudhës që ka kryer detyrën e Imamit në Xhaminë e Konispolit, besimtarët dhe të gjithë ata që e njihnin e donin dhe e respektonin si njeri të shenjtë dhe humanitar, të përkushtuar ndaj bashkëvendasve dhe ndaj të gjithë atyre që i drejtoheshin për ndihmë. Ishte Imami më i persekutuar, i cili derisa vdiq, nuk iu nda detyrës hyjnore, shërbimit të përulur ndaj Zotit të Madh e të Gjithëfuqishëm, Krijuesit të Njeriut e gjithçkaje.
Hafiz Mehmet Alushi vazhdonte të falej e lutej fshehtas spiunëve të regjimit komunist që e përndiqnin.
Sidoqoftë ai ishte dhe ka mbetur në mendjet e njerëzve të thjeshtë, qoftë edhe të komunistëve të ndershëm, një atdhetar i madh, një lider fetar musliman i shquar dhe i nderuar.
Babai i Shefkiut, Mazar Hysa, ishte mësues me vllehtë, në vitet 50-60, dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor; veronte në malet e Gramozit të rrethit të Kolonjës, me qendër Ersekën dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë.
Familjarisht banonte në Shalës të Konispolit.
Vdiq i persekutuar nga regjimi komunist.
Megjithatë, Mazar Hysa mbeti në mendjet e zemrat njerëzve Modeli i Mësuesit Shqiptar të përkushtuar ndaj edukimit të brezave të rinj.
Nëna e Shefkiut, Bahrie Hysa, në pamje të parë një grua e imët, por tejet e zgjuar, e cila e pasuronte çdo ditë mendjen dhe shpirtin me librat e shumtë që i sillte i shoqi, ishte shtëpiake dhe shtegtonte përkrah të zotit të shtëpisë që të kujdesej për familjen e tyre të re.
Gjatë gjithë jetës Bahrie Hysa, grua me zemër e shpirt të madh, humanitare e palodhur, iu përkushtua ndihmës ndaj të tjerëve.
Bashkëvendasit e donin dhe e respektonin shumë, aq sa e cilësuan “Nënë Tereza e Konispolit”.

This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a comment